Edicionet

Festivali i Kompozitorëve Kosovarë – Edicioni II (2025)

Festivali i Kompozitorëve Kosovarë ka realizuar me sukses edicioni e dytë, i cili u mbajt nga 09 deri më 12 nëntor 2025, duke shënuar një vazhdimësi të rëndësishme në promovimin dhe zhvillimin e krijimtarisë bashkëkohore muzikore vendase.

Përgatitjet për këtë edicion kanë filluar që në fillim të vitit 2025, me një angazhim të vazhdueshëm dhe të strukturuar të ekipit organizativ, duke u përkujdesur për çdo aspekt artistik, organizativ dhe teknik të festivalit. Vëmendje e veçantë iu kushtua cilësisë së përmbajtjes programore, përzgjedhjes së pjesëmarrësve, si dhe standardeve profesionale të realizimit.

 

Masterklasa dhe aktivitetet edukative

Në kuadër të festivalit me bashkëpunimin e suksesshëm me Ambasadën e Belgjikës në Kosovë u organizuan masterklasa me kompozitoren e mirënjohur belge, Prof. Annelies van Parys, e cila kontribuoi me përvojën dhe ekspertizën e saj në fushën e kompozimit bashkëkohor. Përveç masterklasave të përgjithshme, u realizuan edhe masterklasa individuale me studentë të kompozimit nga Fakulteti i Arteve – Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Për pjesëmarrje në këto masterklasa u shpall thirrje e hapur për aplikim, e cila rezultoi me interesim të lartë. Nga numri i madh i aplikimeve, u përzgjodhën kandidatët që plotësonin kriteret artistike dhe akademike të përcaktuara, duke siguruar një proces transparent dhe cilësor përzgjedhjeje. Masterklasat u mbajtën në ambientet e Fakultetit të Arteve, Departamenti i Muzikës, duke krijuar një hapësirë të përshtatshme për shkëmbim profesional dhe zhvillim artistik.


{


Programi koncertal

Programi koncertal i edicionit të dytë përfshiu dy koncerte kryesore:

 

1.  “Contemporary Legacy” – Koncert për Kompozitorët e Karrierës

Ky koncert iu dedikua kompozitorëve të dëshmuar, me një karrierë të gjerë dhe opus të pasur krijues. Veprat u interpretuan nga instrumentistë profesionistë nga Maqedonia e Veriut, anëtarë të Filharmonisë së Maqedonisë, të cilët u përkujdesën për një interpretim të detajuar dhe artistikisht të rafinuar, në përputhje me kërkesat estetike dhe teknike të kompozitorëve.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në muzikën bashkëkohore, ky koncert është konceptuar si pjesë e përhershme vjetore e festivalit.

 

 

2. “Next Generation” – Koncert për Kompozitorët e Rinj

Ky koncert iu kushtua krijimtarisë së re vendase, me qëllim nxitjen e kompozitorëve të rinj dhe inkurajimin e krijimit të veprave të reja. Programi pasqyroi qasje të ndryshme estetike dhe gjuhë bashkëkohore kompozicionale, duke ofruar një platformë të rëndësishme prezantuese për brezin e ri të kompozitorëve kosovarë.

Të gjitha interpretimet koncertale u realizuan me audio dhe video-incizim profesional, duke u përkujdesur në çdo detaj teknik dhe artistik, në mënyrë që veprat të dokumentohen dhe të arkivohen sipas standardeve profesionale.

 

Hapësirat dhe datat

Masterklasat u mbajtën më datat 09-11.11.2025 në ambientet e Fakultetit të Arteve – Universiteti i Prishtinës, ndërsa koncertet u realizuan më 10 dhe 12 nëntor 2025, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00.